Shoqata kulturore Bashkimi me ju që nga viti 1993
Themelimi dhe misioni fillestar
Shoqata “Bashkimi” u themelua në vitin 1993, në qytetin Uster të Zvicrës, nga një grup mërgimtarësh shqiptarë të ardhur nga trojet tona etnike. Në një periudhë të trazuar për popullin shqiptar, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, themeluesit e kësaj shoqate panë të domosdoshme ngritjen e një qendre shqiptare ku të takoheshin, të bisedonin dhe të mobilizoheshin rreth çështjes kombëtare. Shumë prej anëtarëve të parë ishin të përndjekur politikisht, që kishin gjetur strehim në Zvicër dhe kishin një ndjenjë të fortë detyrimi ndaj vendlindjes.
Qëllimi kryesor i shoqatës në atë kohë ishte ndihma konkrete për vendlindjen, përkrahja për të përndjekurit politik dhe për refugjatët që vinin nga trevat shqiptare, sidomos gjatë krizave të mëdha që përfshinë Kosovën dhe Maqedoninë në fund të viteve ’90.
Aktiviteti gjatë viteve të para
Shoqata “Bashkimi” u bë menjëherë një pikë referimi për bashkëatdhetarët në Zvicër. Organizonin takime të rregullta me komunitetin shqiptar për t’i informuar për zhvillimet në vendlindje dhe për të bashkërenduar ndihmat. Po ashtu, shoqata krijoi ura bashkëpunimi me autoritetet lokale të komunës Uster, duke informuar institucionet zvicerane për situatën e vështirë në Kosovë dhe Maqedoni.
Përveç kësaj, Shoqata organizonte me përkushtim festën kombëtare të 28 Nëntorit, ku shqiptarët nga të gjitha trevat mblidheshin për të kremtuar së bashku. Këto ngjarje ishin ngulmim i identitetit dhe krenarisë kombëtare, duke ndihmuar në ruajtjen e lidhjeve shpirtërore me atdheun.
Pjesëmarrja në jetën publike në Uster
Shoqata “Bashkimi” ka qenë dhe mbetet një aktore aktive në jetën publike të qytetit Uster. Ka marrë pjesë në projekte të përbashkëta me komunën dhe shoqata të komuniteteve të tjera, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie multikulturore dhe gjithëpërfshirëse.
Në çdo aktivitet të rëndësishëm qytetar, festivale, panaire, manifestime kulturore Shoqata Bashkimi ka qenë gjithmonë prezent, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar dhe duke forcuar imazhin e tij pozitiv në Zvicër.
Faza pas konfliktit në trojet shqiptare
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe marrëveshjes së paqes në Maqedoni, Shoqata “Bashkimi” e riorientoi veprimtarinë e saj drejt ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare. Aktivitetet kryesore u përqendruan në fushën kulturore dhe edukative: organizime festash, promovime librash, shfaqje artistike, panaire dhe aktivitete që ruajnë trashëgiminë kulturore për brezat e rinj.
Një nga veprimtaritë më të rëndësishme në këtë drejtim është Panairi i Librit në Uster, i cili është zhvilluar me sukses disa herë, duke sjellë libra në gjuhën shqipe dhe duke nxitur leximin dhe lidhjen me kulturën amtare.
Grupi i vallëzimit – trashëgimia në lëvizje
Në vitin 2008, në kuadër të Shoqatës “Bashkimi” u themelua Grupi i Vallëzimit, si një iniciativë për të ruajtur dhe trashëguar vallet tradicionale shqiptare ndër breza. Fillimisht, grupi u formua me disa fëmijë të anëtarëve të shoqatës, dhe që në hapat e parë u drejtua nga një figurë tejet e respektuar për ne, Agron Bajrami, koreografi i parë i grupit.
Agron Bajrami ishte koreografi i parë që punoi me ne dhe nuk u lodh kurrë. Ai na mësoi hapat e parë me durim, përkushtim dhe dashuri të veçantë për kulturën kombëtare. Kontributi i tij ishte themelor në formimin e grupit dhe në vendosjen e një baze të fortë që shërbeu si themel për zhvillimin e mëtejshëm.
Me kalimin e viteve, valltarët tanë u formësuan profesionalisht dhe shumë prej tyre morën përsipër udhëheqjen e grupeve të reja. Sot, Shoqata “Bashkimi” ka tetë grupe aktive vallëzimi, që përfshijnë fëmijë, të rinj dhe të rritur, duke filluar nga mosha 5-vjeçare e deri në moshën madhore. Këto grupe janë dëshmi e gjallë e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë shqiptare në diasporë.
Një moment historik për grupin tonë ndodhi në vitin 2023, kur u realizua një ëndërr shumëvjeçare: pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës. Të ngjitesh në skenën më prestigjioze të folklorit shqiptar ishte një përvojë e paharruar për valltarët tanë dhe një nder i veçantë për Shoqatën “Bashkimi”. Përfaqësimi ynë atje ishte jo vetëm artistik, por edhe shpirtëror, një dëshmi e fuqishme se edhe në mërgim, kultura shqiptare jeton, kërcen dhe frymon me krenari.
Revista “Bashkimi”, një dritare kulturore e komunitetit
Në vitin 2019, Shoqata “Bashkimi” ndërmori një hap të rëndësishëm në drejtim të dokumentimit dhe shpërndarjes së aktiviteteve të saj, duke publikuar për herë të parë revistën me titull BASHKIMI. Kjo revistë përfaqëson një platformë të vlefshme për komunikim dhe informim mes anëtarëve dhe simpatizantëve të shoqatës.
Fillimisht, revista botohej tri herë në vit, por me kalimin e kohës, për të ruajtur cilësinë dhe thellësinë e përmbajtjes, ajo tani del dy herë në vit. Në çdo numër pasqyrohen ngjarjet më të rëndësishme që shoqata organizon, përfshirë aktivitete kulturore, takime, pjesëmarrje në festivale, promovime librash dhe shumë më tepër.
Revista “Bashkimi” është gjithashtu një hapësirë ku anëtarët gjejnë informacione për grupet e vallëzimit, traditat, historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe portrete të personaliteteve të shquara të popullit tonë, qoftë nga vendlindja, qoftë nga diaspora. Ajo shërben si një pasqyrë e punës së përkushtuar të Shoqatës dhe një burim krenarie për të gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër.
Organogrami i Shoqatës
Bordi Drejtues udhëheq, Drejtori Ekzekutiv zbaton,
kurse ekipet operojnë me mision të qartë.
Statuti i Shoqatës
Satuti i ri u aprovua nga të gjithë pranishmit në mbledhjen e
Kuvendit me datën 04.02.2024













