Fjalë rasti nga personalitete të ndryshme
Sot, më shumë se tri dekada më vonë, Shoqata “Bashkimi” është bërë pjesë e pandashme e jetës kulturore të qytetit të Usterit dhe e një partneriteti të frytshëm me institucionet vendase. Përmes aktiviteteve të saj, ajo prezanton me dinjitet traditat, vlerat dhe kulturën shqiptare, duke kontribuar në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet komuniteteve.
Si dikush që ka jetuar në Zvicër në vitet kur kjo shoqatë hidhte hapat e parë, ndjej mirënjohje dhe respekt të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar që “Bashkimi” të mbetet një simbol i kulturës, integrimit dhe prosperitetit shqiptar në Zvicër. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër dhe unë si ambasador vlerësojmë lart kontributin e Shoqatës “Bashkimi” në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane.
Të nderuar anëtarë të Shoqatës “Bashkimi Uster”,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju drejtohem përmes këtij mesazhi, me vlerësim të sinqertë për kontributin tuaj të çmuar në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, kulturor dhe gjuhësor në Zvicër.
Shoqata “Bashkimi Uster” është një shembull frymëzues i punës së përkushtuar që diaspora shqiptare bën për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe për të ndërtuar bashkëpunim mes komunitetit tonë dhe shoqërisë zvicerane. Me aktivitetet tuaja kulturore, humanitare e shoqërore, ju keni dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk shuhet kurrë – përkundrazi, ajo forcohet përmes punës së përbashkët dhe solidaritetit.
Në emrin tim dhe të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, vullnetin dhe vizionin që tregoni çdo ditë. Ju jeni ambasadorët më të mirë të vlerave shqiptare në Zvicër – shembull i bashkimit, i punës së ndershme dhe i respektit për njëri-tjetrin.
Le ta ruajmë këtë frymë të bashkimit e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe traditat tona. Le t’u mësojmë brezave të rinj krenarinë për origjinën dhe rrënjët e tyre. Shoqata “Bashkimi Uster” mbetet një vatër e gjallë ku ndjehet fryma shqiptare dhe ku çdo anëtar kontribuon për një të ardhme më të fortë e më të bashkuar.
Me respekt të veçantë dhe vlerësim të sinqertë.
Falë angazhimit të vazhdueshëm të anëtarëve dhe drejtuesve të saj, “Bashkimi” ka krijuar një hapësirë të çmuar ku shqiptarët mblidhen, bashkëpunojnë dhe forcojnë ndjenjën e përkatësisë e solidaritetit. Kjo punë e ndershme e bën shoqatën një urë të rëndësishme midis mërgatës dhe atdheut.
Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për kontributin e Shoqatës “Bashkimi” dhe për rolin e saj të rëndësishëm në jetën kulturore e shoqërore të mërgatës sonë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me misionin tonë.
Shoqata “Bashkimi” bën një punë të shkëlqyer në organizimin, bashkimin dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë. Pjesëmarrja në aktivitetet e kësaj shoqate ka qenë për mua një kënaqësi e veçantë, sepse pata mundësinë të prek nga afër punën e madhe që po bëhet në këtë drejtim.
Në kohë të vështira, kur largësia e bën të vetën, organizime të tilla janë një domosdoshmëri dhe duhet të vijojnë të rriten edhe më tej. Mërgimi është i vështirë, por ruajtja e identitetit është forca e një populli që duhet t’i mbajë të gjalla rrënjët e tij.
Shoqata “Bashkimi” po bën një punë për t’u lavdëruar dhe, padyshim, kam qenë dhe do të jem gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me ta.
Unë po e shiqojsha i nemitun. Dukej burrë i madh e i hareshëm. Ai po m’fliste për punën që ka ba Shoqata “Bashkimi” tash e sa mote n’mes të mërgimtarëve, dikun n’nji paralagje të Cyrihut. Ia dhashë fjalën se ka me pasë Çunin, Fishtën e zanin tem n’at manifestim që e ruen gjuhën, traditën e rrajën. Ktyne u duhet gjithçka ma shumë se neve n’atdhe, i thojsha vetes, tu e shiqu kryetarin e Shoqatës, struganin Guximtar Alushin.
Erdhi ajo ditë – se koha s’ndalet – e unë, me nji këmishë pelhure e me nji plis t’bardhë, dola n’skenë me vargun epik: “Nga nji det n’tjetrin det, zot jam vet!”, e qinda mërgimtarë duartrokitën.
Isha ma shumë se i lumtun me pjesëmarrjen e tyne dhe me programin e larmishëm të Shoqatës “Bashkimi”.
Guximtar, i thashë kur m’përcolli, kjo i duhet fëmiut që rritet n’mërgim e kjo i duhet plakut që i tretë vitet jashtë atdheut: gjuha e tradita e të parëve. Punoni e mos u përtoni!
Ia dhashë fjalën se sa herë t’kenë nevojë për artin tem, kam me ju qenë i pakursyeshëm.
Shoqata Kulturore “Bashkimi” nuk kufizohet thjesht në organizimin e manifestimeve kulturore; ajo ka ndërtuar një platformë të qëndrueshme ku kultivohet me vetëdije vallja, muzika dhe gjuha shqipe. Në procesin e trajnimeve kam gjetur një grup valltarësh të përkushtuar, me respekt të thellë për formën origjinale të valles dhe me ambicie për të ngritur nivelin interpretativ në çdo paraqitje skenike. Kjo tregon se puna e tyre nuk është spontane, por e menduar dhe e mbështetur mbi standard.
Vlerësoj lart organizimin e brendshëm, frymën e bashkëpunimit dhe vizionin afatgjatë të drejtuesve të saj. Kjo qasje reflektohet qartë në cilësinë artistike dhe në imazhin dinjitoz që Shoqata “Bashkimi” përfaqëson si para komunitetit shqiptar, ashtu edhe para publikut zviceran.
Për mua, Shoqata “Bashkimi” është një partner serioz dhe një referencë e rëndësishme kulturore në mërgatë, një shembull konkret se si tradita mund të ruhet me integritet, të zhvillohet me profesionalizëm dhe të prezantohet me nivel të lartë artistik larg atdheut.
Rilindasit tanë, nga Naim Frashëri te Pashko Vasa e Sami Frashëri, e shihnin ruajtjen e gjuhës dhe kulturës si themelin e qenies sonë kombëtare. Thënia e njohur e Pashko Vasës – “Feja e shqiptarit është shqiptaria” mbetet edhe sot një kujtesë e fuqishme për unitetin dhe përgjegjësinë që kemi për të mbrojtur dhe trashëguar identitetin tonë.
Në këtë kuptim, puna e Shoqatës “Bashkimi” për të përcjellë këto vlera te brezat e rinj është e një rëndësie të veçantë. Ajo jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e rrënjëve tona kulturore, por gjithashtu kontribuon në ndërtimin e një imazhi dinjitoz dhe pozitiv të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.
Si përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, e vlerësoj lart përkushtimin dhe kontributin e Shoqatës “Bashkimi” dhe të të gjithë atyre që, me përkushtim dhe dashuri për atdheun, kanë punuar ndër vite për të mbajtur gjallë frymën e bashkimit dhe solidaritetit mes shqiptarëve në diasporë.
Me dëshirën që kjo veprimtari e çmuar të vazhdojë edhe në të ardhmen me të njëjtin ideal dhe përkushtim, ju përgëzoj për punën dhe misionin tuaj në shërbim të komunitetit shqiptar.
Me respekt,
Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e RSH-së në Bernë







