Uster, 15 Janar 2025
Mbrëmjen e 15 janarit 2025, Shoqata “Bashkimi” organizoi një tubim përkujtimor në ambientet e saj në Uster, për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Kosovë. Aktiviteti nisi në ora 19:30, ku të gjithë të pranishmit ndezën nga një qiri në nderim të jetëve të humbura gjatë asaj periudhe të errët të historisë sonë.
Në këtë tubim, fjalime frymëzuese dhe plot emocion u mbajtën nga Profesori Vaxhid Sejdiu dhe Adnan Asllani. Ata sollën në kujtesë dhimbjen dhe sakrificat e popullit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përpjekjet për drejtësi e paqe.
Të pranishëm ishin gjithashtu edhe të rinj dhe të reja, të cilët morën pjesë aktivisht në këtë akt përkujtimor. Është tepër e rëndësishme që edhe rinia të njoftohet për bëmat e agresorit serb në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në mënyrë që e vërteta të mos harrohet dhe brezat e rinj të ndriçohen mbi të kaluarën e popullit tonë.
Atmosfera e përkujtimit dhe solidaritetit u ndie fuqishëm mes të pranishmëve, të cilët u bashkuan për të përkujtuar viktimat, për të nderuar të mbijetuarit dhe për të riafirmuar angazhimin për mos përsëritjen e këtyre tragjedive.
Ky tubim shërbeu si një thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe miqve të Kosovës në ruajtjen e vlerave humane dhe promovimin e të drejtave universale të njeriut.







No comment