Uster, 17 Janar 2025
Konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, realizoi një vizitë të veçantë në Shoqatën “Bashkimi” në Uster, ku pati mundësinë të takohej me anëtarët dhe aktivistët e shoqatës, si dhe me grupet e vallëzimit.
Gjatë vizitës, Konsulli u takua me të gjitha grupet e valltarëve, që numërojnë gjithsej 210 pjesëmarrës, duke shfaqur interesim të madh për punën dhe përkushtimin e tyre.
Në një atmosferë entuziaste dhe motivuese, ai mbajti një fjalim frymëzues në çdo grup të vallëzimit, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me pasion dhe përkushtim në promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare.
Bashkë me Konsullin Vigan Berisha i vizituam Grupet tona të vallëzimit duke filluar me: Fluturat, Bilbilat, Harabelat, Dallëndyshet, Pulëbardhat, Shqiponjat e Dardanisë dhe Shqiponjat e Iliridës.
Pas takimeve me grupet e valltarëve, vizita vijoi në ambientet e shoqatës “Bashkimi”, ku Konsulli u njoh më nga afër me anëtarët e kryesisë dhe aktivistët e shoqatës. Gjatë kësaj pjese të vizitës, bisedat u përqendruan në projekte të ndryshme dhe mundësi bashkëpunimi, duke hedhur ide për të ardhmen dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve të Kosovës dhe atyre lokale të Zvicrës.
Jemi mirënjohës ndaj Konsullit Vigan Berisha, i cili gjithmonë u rri pranë Shoqatave Kulturore dhe i mbështet ato. Kontributi i tij i çmuar për ruajtjen e vlerave kombëtare dhe përkrahjen ndaj aktiviteteve kulturore është një shembull frymëzues për të gjithë ne.
Shoqata “Bashkimi” është çdo herë e gatshme të kontribuojë edhe më shumë në ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe trashëgiminë kulturore.
Me këtë rast, Shoqata “Bashkimi” i vë në dispozicion ambientet e saj për nevojat e ndryshme të Konsullatës në Cyrih, por edhe të Ambasadave tona në Bern.
Kryetari i Shoqatës “Bashkimi”, Guximtar Alushi, dhe Konsulli Vigan Berisha mbetën shumë të kënaqur nga ky takim dhe premtuan që takime të tilla do të kemi edhe në të ardhmen.
Kjo vizitë u vlerësua si një hap i rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit dhe mbështetjes për aktivitetet kulturore dhe shoqërore që organizohen nga Shoqata “Bashkimi”.









No comment