Fjalë rasti nga personalitete të ndryshme

_
Mentor Latifi
Mentor Latifi
Ambasadori i Kosovës në Bern
Shoqata Kulturore “Bashkimi” në Uster, e themeluar në vitin 1993, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë dhe shpirtit të mërgatës sonë në Zvicër. Ajo lindi në një periudhë sfiduese për kombin shqiptar, kur bashkatdhetarët tanë mblidheshin në klube e shoqata për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe për të ushqyer ndjenjën e përbashkët kombëtare. Vetë emri i saj, “Bashkimi”, përmban thelbin e misionit që e ka përcjellë ndër vite: afrimin e shqiptarëve pa dallime, drejt vlerave përbashkuese.

Sot, më shumë se tri dekada më vonë, Shoqata “Bashkimi” është bërë pjesë e pandashme e jetës kulturore të qytetit të Usterit dhe e një partneriteti të frytshëm me institucionet vendase. Përmes aktiviteteve të saj, ajo prezanton me dinjitet traditat, vlerat dhe kulturën shqiptare, duke kontribuar në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet komuniteteve.

Si dikush që ka jetuar në Zvicër në vitet kur kjo shoqatë hidhte hapat e parë, ndjej mirënjohje dhe respekt të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar që “Bashkimi” të mbetet një simbol i kulturës, integrimit dhe prosperitetit shqiptar në Zvicër. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër dhe unë si ambasador vlerësojmë lart kontributin e Shoqatës “Bashkimi” në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane.

Rexhep Demiri Ambasador i Maqedonisë
Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë
Shoqata “Bashkimi Uster” një vatër e gjallë e kulturës dhe bashkimit shqiptar

Të nderuar anëtarë të Shoqatës “Bashkimi Uster”,

Është kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju drejtohem përmes këtij mesazhi, me vlerësim të sinqertë për kontributin tuaj të çmuar në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, kulturor dhe gjuhësor në Zvicër.

Shoqata “Bashkimi Uster” është një shembull frymëzues i punës së përkushtuar që diaspora shqiptare bën për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe për të ndërtuar bashkëpunim mes komunitetit tonë dhe shoqërisë zvicerane. Me aktivitetet tuaja kulturore, humanitare e shoqërore, ju keni dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk shuhet kurrë – përkundrazi, ajo forcohet përmes punës së përbashkët dhe solidaritetit.

Në emrin tim dhe të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, vullnetin dhe vizionin që tregoni çdo ditë. Ju jeni ambasadorët më të mirë të vlerave shqiptare në Zvicër – shembull i bashkimit, i punës së ndershme dhe i respektit për njëri-tjetrin.

Le ta ruajmë këtë frymë të bashkimit e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe traditat tona. Le t’u mësojmë brezave të rinj krenarinë për origjinën dhe rrënjët e tyre. Shoqata “Bashkimi Uster” mbetet një vatër e gjallë ku ndjehet fryma shqiptare dhe ku çdo anëtar kontribuon për një të ardhme më të fortë e më të bashkuar.

Me respekt të veçantë dhe vlerësim të sinqertë.

Vigan Berisha
Vigan Berisha
Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih
Shoqata “Bashkimi” në Uster përfaqëson një shembull të qëndrueshëm të organizimit, përkushtimit dhe dashurisë ndaj kulturës shqiptare mërgatë. Përmes aktiviteteve të shumta kulturore, arsimore dhe shoqërore, kjo shoqatë ka ruajtur e përcjellë te brezat e rinj vlerat kombëtare, duke i bërë ato pjesë të gjallë të jetës së mërgatës sonë në Zvicër.

Falë angazhimit të vazhdueshëm të anëtarëve dhe drejtuesve të saj, “Bashkimi” ka krijuar një hapësirë të çmuar ku shqiptarët mblidhen, bashkëpunojnë dhe forcojnë ndjenjën e përkatësisë e solidaritetit. Kjo punë e ndershme e bën shoqatën një urë të rëndësishme midis mërgatës dhe atdheut.

Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për kontributin e Shoqatës “Bashkimi” dhe për rolin e saj të rëndësishëm në jetën kulturore e shoqërore të mërgatës sonë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me misionin tonë.

Marin Mema
Marin Mema
Gazetar dhe Hulumtues

Shoqata “Bashkimi” bën një punë të shkëlqyer në organizimin, bashkimin dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë. Pjesëmarrja në aktivitetet e kësaj shoqate ka qenë për mua një kënaqësi e veçantë, sepse pata mundësinë të prek nga afër punën e madhe që po bëhet në këtë drejtim.

Në kohë të vështira, kur largësia e bën të vetën, organizime të tilla janë një domosdoshmëri dhe duhet të vijojnë të rriten edhe më tej. Mërgimi është i vështirë, por ruajtja e identitetit është forca e një populli që duhet t’i mbajë të gjalla rrënjët e tij.

Shoqata “Bashkimi” po bën një punë për t’u lavdëruar dhe, padyshim, kam qenë dhe do të jem gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me ta.

Çun Lajçi
Çun Lajçi
Artist / Autor
Jam Guximtari – tha – e due zanin tand e vargun e Fishtës n’manifestimin e Shoqatës “Bashkimi”! Strugan jam, mes gegëve e toskëve – tha – e i mora librat që i kishe n’shitje.
Unë po e shiqojsha i nemitun. Dukej burrë i madh e i hareshëm. Ai po m’fliste për punën që ka ba Shoqata “Bashkimi” tash e sa mote n’mes të mërgimtarëve, dikun n’nji paralagje të Cyrihut. Ia dhashë fjalën se ka me pasë Çunin, Fishtën e zanin tem n’at manifestim që e ruen gjuhën, traditën e rrajën. Ktyne u duhet gjithçka ma shumë se neve n’atdhe, i thojsha vetes, tu e shiqu kryetarin e Shoqatës, struganin Guximtar Alushin.

Erdhi ajo ditë – se koha s’ndalet – e unë, me nji këmishë pelhure e me nji plis t’bardhë, dola n’skenë me vargun epik: “Nga nji det n’tjetrin det, zot jam vet!”, e qinda mërgimtarë duartrokitën.
Isha ma shumë se i lumtun me pjesëmarrjen e tyne dhe me programin e larmishëm të Shoqatës “Bashkimi”.

Guximtar, i thashë kur m’përcolli, kjo i duhet fëmiut që rritet n’mërgim e kjo i duhet plakut që i tretë vitet jashtë atdheut: gjuha e tradita e të parëve. Punoni e mos u përtoni!

Ia dhashë fjalën se sa herë t’kenë nevojë për artin tem, kam me ju qenë i pakursyeshëm.