Uster, 14.02.2026
Festa e Pavarësisë së Kosovës
Shoqata “Bashkimi” organizoi një Koncert Festiv me rastin e 18-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Mbrëmja ishte një festë e vërtetë kombëtare, e mbushur me emocione, krenari dhe energji rinore.
Në skenë performuan të gjitha grupet e vallëzimit të Shoqatës “Bashkimi”, duke filluar nga më të vegjlit: Fluturat, Harabelat, Bilbilat, Dallëndyshet, Pulëbardhat dhe Shqiponjat. Gjithsej, 176 valltarë u ngjitën në skenë, duke dëshmuar me krenari për rininë shqiptare në Zvicër dhe përkushtimin e saj ndaj kulturës dhe traditës sonë.
Programin artistik e pasuruan edhe interpretimet muzikore. Motrat Aleyna dhe Lejla Bajraktari emocionuan publikun me këngën “Marshi i UÇK-së”, ndërsa Flutur Bytyqi dhe Akil Tairi interpretuan këngën “Kosova, Kosova”, duke ngritur sallën në këmbë.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe pika teatrale e realizuar nga grupi “Pulëbardhat”, e cila preku thellë zemrat e të pranishmëve.
Këtë mbrëmje festive e nderoi me praninë e tij edhe Shefi i Shërbimit Konsullor në Zürich, miku ynë Vigan Berisha. E falënderojmë përzemërsisht për pjesëmarrjen dhe mbështetjen.
Një nder i veçantë për mbrëmjen tonë ishte prania dhe surpriza e koreografit të mirënjohur, z. Genc Kastrati nga Tirana, Mjeshtër i Valleve dhe drejtues i grupit të valleve në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare. Vizita e tij ishte një privilegj i madh për Shoqatën tonë dhe për gjithë komunitetin. Për valltarët tanë ishte një emocion i veçantë të ngjiteshin në skenë dhe të performonin para një mjeshtri të valleve shqiptare. Vlerësimi dhe fjalët e tij inkurajuese ishin motivim i madh për të gjithë, sidomos për të rinjtë që me pasion dhe përkushtim ruajnë dhe kultivojnë traditën tonë.
E falënderojmë përzemërsisht z. Genc Kastratin për praninë, mbështetjen dhe frymëzimin që solli në këtë mbrëmje kaq domethënëse për ne.
Programi i pasur u menaxhua me profesionalizëm nga mikja jonë Blenda Nyfeler, e cila me moderimin e saj të shkëlqyer i dha ritëm dhe elegancë gjithë mbrëmjes. Faleminderit, Blenda!
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë anëtarët e Shoqatës sonë për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të palodhshme ndër vite. Falënderojmë sponsorët tanë besnikë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë prindërit që me përkushtim i dërgojnë fëmijët e tyre në Shkollën Shqipe dhe në grupet e vallëzimit. Vetëm së bashku mund ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë kombëtar.
Në vijim gjeni disa kujtime të bukura nga Manifestimi ynë, momente të kapura me shumë kujdes që pasqyrojnë atmosferën, emocionin dhe energjinë e asaj mbrëmjeje.
Fotografitë e publikuara në këtë galeri janë realizuar nga Afrim Nevzati. E falënderojmë për punën profesionale dhe për kontributin e tij në dokumentimin e këtij aktiviteti të veçantë.
Të gjithë ata që dëshirojnë ta shkarkojnë ndonjë fotografi në format më të madh, mund të na kontaktojnë në emailin e Shoqatës: info@bashkimi.ch. Për çdo ankesë apo kërkesë në lidhje me këto fotografi, ju lutemi të na drejtoheni me shkrim në të njëjtën adresë elektronike.












































































































































No comment