E shtunë, 15 Nëntor 2025
Pjesëmarrja e Shoqatës “Bashkimi” në Festivalin “Ilirët Jehojnë”
Gjatë dy ditëve të festivalit “Ilirët Jehojnë”, që u mbajt në Lozanë nën drejtimin e znj. Fatime Kalimashi, Shoqata “Bashkimi” pati kënaqësinë të përfaqësohej denjësisht me grupin e të rriturve “Shqiponjat”.
Valltarët tanë u prezantuan me dy numra artistikë.
Vallja e parë, “Oshtima e Maleve”, u përgatit nga Diellëza Alishani dhe Elham Ejupi, të cilët performuan edhe si solistë në këtë vepër të mjeshtrit të paharruar, Panajot Kanaçi, Nderi i Kombit.
Vallja e dytë, “Pllana e Lezhës”, mbante firmën e koreografit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, të madhit Genc Kastrati.
Në festival morën pjesë 11 grupe artistike nga qytete të ndryshme të Zvicrës, me nikoqirët e SHKA “Ilirët” që na pritën me zemër të hapur dhe mikpritje shembullore. “Shqiponjat” u ngjitën në skenë në pjesën e parë të festivalit, ndërsa të nesërmen vijuan prezantimet e grupeve të tjera dhe u bë edhe ndarja e çmimeve.
Juria profesionale, e përbërë nga koreografi i njohur Dilaver Kryeziu, dirigjenti Ermir Dizdari dhe muzikologu Sami Piraj, vlerësoi Shoqatën “Bashkimi” me çmimin “Kostumet më Autoktone”. Ky çmim i dedikohet me mirënjohje artizanes Edlira Sula dhe ekipit të tradita.al, të cilët me dashuri e përkushtim u kujdesën për kostumet tona, përfshirë edhe xhubletën, tashmë krenarisht të pranishme në skenat e Zvicrës dhe e prezantuar nga Shoqata Bashkimi.
Fituesit e Festivalit “Ilirët Jehojnë”
Çmimi i parë: Ansambli “Gëzuar” – Gjenevë
Çmimi i dytë: Shoqata Kulturore “Sharri” – St. Gallen
Çmimi i tretë: Ansambli “Trojet” – Winterthur
I përgozojm dhe ju urpjmë shumë Suksese edhe në të ardhme Ansamblet fituese.
Për Shoqatën “Bashkimi” ishte kënaqësi dhe nder të ishte pjesë e një festivali kaq të rëndësishëm në Zvicër. Por krenaria jonë merr një tjetër dimension kur rikujtojmë pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një gur i rëndësishëm për kulturën shqiptare dhe një prej skenave më të respektuara të artit tonë burimor. Aty nuk prezantohesh thjesht; aty provon veten para një audience që e kupton çdo detaj, çdo hap e çdo notë. Organizimi është i një kalibri krejt tjetër, me standarde që nuk falin asnjë mangësi, ndërsa juria përbëhet nga emra me autoritet të padiskutueshëm në fushën e etnokulturës. Çdo vlerësim i marrë aty është si një vulë e rëndë, që i shton vlerë jo vetëm grupit, por edhe gjithë komunitetit që përfaqësojmë. Ky është niveli ku arti bëhet histori dhe ku identiteti ynë mishërohet në mënyrën më të pastër.



































No comment