Uster, 31.01.2026
Darka e Fundvitit e Shoqatës “Bashkimi”
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot energji, Shoqata “Bashkimi” organizoi darkën e fundvitit si shenjë mirënjohjeje për anëtarët tanë aktivë dhe trajnerët e palodhur të grupeve të vallëzimit.
Kjo mbrëmje e veçantë u zhvillua tek miku ynë, Agron Ahmetaj, në ambientet mikpritëse të restorantit Stella del Centro në Uster, duke krijuar kushtet perfekte për një natë të paharrueshme.
Ishte një mbrëmje ku miqësia, përkushtimi dhe dashuria për kulturën shqiptare u ndjenë në çdo moment. Vallja e rinisë sonë solli gjallëri dhe krenari, ndërsa atmosfera u pasurua edhe më shumë nga interpretimi i mikut tonë të dashur, Bexhet Sallai, i cili me kitarën e tij i dha shpirt kësaj nate.
Gjatë mbrëmjes, patëm kënaqësinë të nderojmë të gjithë kontribuesit e Shoqatës “Bashkimi” me mirënjohje simbolike, si falënderim për angazhimin dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme.
Kjo darkë nuk ishte vetëm festë, por edhe reflektim. Kujtuam rrugëtimin tonë gjatë vitit që lamë pas, sukseset që na bënë krenarë dhe sfidat që na forcuan si komunitet. Me të njëjtin përkushtim, shohim drejt të ardhmes me besim për arritje edhe më të mëdha.
Që nga viti 1993, Shoqata “Bashkimi” nuk është thjesht një organizatë, është një shtyllë e rëndësishme dhe një udhërrëfyes për komunitetin shqiptar në Zvicër. Me këtë frymë bashkimi dhe përkushtimi, synojmë të vazhdojmë edhe për shumë vite të tjera, duke ruajtur dhe promovuar vlerat tona me dinjitet dhe sukses.































No comment