ADN Shqiptare – Një bashkim që flet shqip në zemër të Zvicrës
Uster, 03 Maj 2026
Në një kohë kur identiteti shpesh sfidohet nga largësia dhe rutina e përditshme e mërgimit, në Uster të Zvicrës u dha një përgjigje e fortë: shqiptarët nuk e harrojnë prejardhjen e tyre – ata e jetojnë atë.
Aktiviteti kulturor dhe artistik “ADN – Shqiptare” mblodhi qindra bashkatdhetarë në një mbrëmje që nuk ishte thjesht një event, por një dëshmi e gjallë e unitetit, gjuhës dhe shpirtit kombëtar.
Ideja u hodh fillimisht nga një rreth i ngushtë miqsh dhe veprimtarësh të përkushtuar, ndër ta Lulzim Kadriu, përfaqësues të Shkollës Shqipe në Zvicër, Shoqata “Atdheu” dhe Shoqata “Bashkimi”, si dhe Kushtrim Sylejmani, Nderim Ibrahimi, Shpend Limoni, Emiljano Hoxha, Emrullah Sallahu dhe Bujar Zajmi, të cilët bashkuan forcat për ta kthyer këtë nismë në realitet.
Nga një ide e thjeshtë lindi koncepti “ADN – Shqiptare” – një simbol i qartë i asaj që na lidh: gjuha, historia dhe gjaku ynë i përbashkët.
Mbrëmja u moderua me elegancë nga Blenda Nyfeler, e cila arriti të mbajë një ritëm të natyrshëm dhe një lidhje të vazhdueshme me publikun.
Programi artistik solli emocione të forta.
Ylljona Shala me këngën “Udhët e mia” preku publikun me ndjeshmërinë e saj.
Med Sadriaj me recitalin artistik shtoi dimension kulturor dhe reflektues.
Arbnor dhe Rrezart Kuqi “Çka i bashkon shqiptart me gjak – gjuha nënës si zambak”
Marin Mema – Protagonisti që dha kuptim mbrëmjes dhe zëri që bashkoi shqiptarët
Figura qendrore e kësaj ngjarjeje ishte pa dyshim Marin Mema. Ftesa ndaj tij nuk ishte rastësi, por një zgjedhje e menduar mirë nga këshilli organizativ dhe rezultoi vendimtare për suksesin e eventit.
Përmes rrëfimeve të tij, publiku dëgjoi histori reale nga terreni, përballje me sfida, rreziqe dhe përkushtimin e tij për të zbuluar dhe treguar të vërtetat e historisë shqiptare në zona ku ato shpesh janë mohuar.
Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe i fuqishëm:
se nuk është turp të thuash që jemi një,
se nuk është e ndaluar të ndihesh pjesë e një kombi,
dhe se pavarësisht ndarjeve gjeografike, shqiptarët mbeten një trup dhe një shpirt.
Ky mesazh u prit me emocion dhe duartrokitje, duke e kthyer momentin në një nga pikat kulmore të mbrëmjes.
Në përmbyllje, atmosfera arriti kulmin me performancat tradicionale. Vajzat e Shoqatës Atdheu me Vallen e Librazhdit sollën elegancë dhe traditë, ndërsa valltarët e Grupit “Shqiponja” të Shoqatës “Bashkimi” ndezën sallën me “Vallen Zoga kaçake në mal”, duke e kthyer fundin e mbrëmjes në një festë të vërtetë shqiptare.
Një organizim që vendosi standard
Ngjarja u nderua nga prania e përfaqësuesve institucionalë dhe figurave të njohura. Në mesin e të pranishmëve ishte Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, udhëheqësi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih Vigan Berisha, Sekretari i Ambasadës së Shqipërisë Valon Gashi si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.
Siç theksuan edhe Ambasada e Shqipërisë dhe Konsullata e Kosovës, aktivitete të tilla kanë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në diasporë, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes komunitetit.
Gjithashtu, pjesë e aktivitetit ishin shoqata dhe organizata të shumta si Shoqata Vatra, Shoqata Parandalo, Lidhja Shqiptare në Botë, Shoqata Gjergj Kastrioti, Shoqata Nënë Tereza, si dhe afaristë të njohur si Rexhep Berisha dhe Anton Nikolla dhe shum miq të tjerë.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Premtim Sermaxhaj nga Albradio, radioja e vetme shqiptare në Zvicër, një dëshmi se fjala shqipe vazhdon të jetojë dhe të përhapet edhe larg atdheut.
Këshilli organizativ arriti të realizojë një event të mirëstrukturuar, dinjitoz dhe me ndikim të qartë në komunitet.
“ADN – Shqiptare” nuk ishte thjesht një aktivitet. Ishte një kujtesë:
identiteti nuk humbet në mërgim, ai forcohet.
Falënderimi i takon çdo shqiptari që ishte pjesë e kësaj mbrëmjeje. Sepse pikërisht ata e bënë të mundur që “ADN – Shqiptare” të mos mbetet një ide, por të kthehet në një realitet që dëshmon se kombi jeton kudo ku ka zemra që rrahin shqip.
Dhe mbi të gjitha, një thirrje e qartë:
ta themi më shpesh që jemi një.









































































































No comment