Shoqata “Bashkimi” mori pjesë në mbrëmjen tematike kushtuar Çështjes Çame në Cyrih
Përfaqësues të Shoqatës “Bashkimi” morën pjesë në mbrëmjen tematike me titull “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog”, e mbajtur në ambientet e Bibliotekës Pestalozzi në Cyrih dhe e organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në bashkëpunim me Lidhjen Shqiptare në Botë.
Ky aktivitet mblodhi personalitete të njohura të jetës akademike, diplomatike dhe shoqërore shqiptare, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për diskutim dhe reflektim mbi një nga çështjet më të ndjeshme të historisë sonë kombëtare.
Gjatë kësaj mbrëmjeje, përfaqësuesit e Shoqatës “Bashkimi” patën mundësinë të informohen nga afër nga personalitete të çmuara të kombit tonë, ndër ta Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, juristi Nazmi Jakurti, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” Alket Veliu, si dhe filantropi i njohur Lazim Destani.
Diskutimet trajtuan historinë e Çamërisë, të drejtat e njeriut, sfidat me të cilat është përballur komuniteti çam ndër dekada, si dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për ndërgjegjësim më të madh institucional dhe shoqëror mbi Çështjen Çame, si pjesë e pandashme e historisë së kombit shqiptar.
Shoqata “Bashkimi” vlerëson lart organizimin e këtij aktiviteti dhe kontributin e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët me dijen, përvojën dhe angazhimin e tyre ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave shqiptare në diasporë dhe për thellimin e njohurive mbi çështje me rëndësi historike, kulturore dhe kombëtare.
Shoqata “Bashkimi” do të vazhdojë të mbështesë dhe të marrë pjesë në iniciativa që kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e unitetit shqiptar dhe promovimin e çështjeve me interes për kombin tonë.




















No comment