Festë madhështore në Uster për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Uster, 16 Shkurt 2025 – Shoqata “Bashkimi” në Uster organizoi një koncert festiv për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë rreth 600 të pranishëm, përfshirë përfaqësues nga institucionet shqiptare dhe personalitete të njohura të kulturës dhe artit.
Në këtë ngjarje të veçantë, të ftuarit e nderit ishin përfaqësuesit e tre shteteve tona, duke përfshirë Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Mentor Latifi, dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, z. Valon Gashi dhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë z. Rexhep Demiri i cili nuk pati mundësi të na bashkangjitet në festë por na dërgoi urime të përzemërta.
Programi artistik ishte i pasur dhe emocionues. Shtatë grupe valltarësh të Shoqatës “Bashkimi”, me rreth 118 pjesëmarrës, interpretuan valle tradicionale shqiptare. Grupi “Fluturat”, “Bilbilat”, “Harabelat”, “Dallëndyshet”, “Pulëbardhat”, “Shqiponjat e Iliridës” dhe “Shqiponjat e Dardanisë” sollën një atmosferë të gjallë dhe plot ngjyra, pavarësisht mungesave të disa valltarëve për shkak të periudhës së pushimeve.
Flutur Bytyqi na dha emocione më këngën e të madhes Vaqe Zela “rrjedh në këngë e ligjërime”.
Grupi Instrumental i udhëhequr nga Denis Shabani performoi shkëlqyeshëm.
Duke mos munguar asnjëherë në festat tona, me zërin e tij të mrekullueshëm këngëtari dhe Anëtari i Shoqatës sonë Isuf Rashiti na dha emocione frymëzuese.
Një kontribut të veçantë në programin artistik dhanë edhe “Rapsodët e Gjenevës”, të cilët sollën tingujt e folklorit shqiptar dhe e pasuruan skenën me interpretimet e tyre të jashtëzakonshme.
Publiku pati gjithashtu kënaqësinë të shijonte performancën emocionuese të artistit të madh Çun Lajçi, i cili me fjalën dhe artin e tij i dha ngjarjes një peshë të veçantë duke mos e harruar edhe instrumentin tonë të lashtë, Lahutën.
Moderimi i programit u realizua me profesionalizëm nga zonja Ornela Zela, duke filluar saktësisht në orën 13:00 dhe duke përfunduar në orën 16:00.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Zvicër, si përfaqësuesit e Ansamblit “Vatra”, z. Shaban Haliti dhe z. Zhuj Gashi, përfaqësuesi i Shoqatës “Gjergj Kastrioti”, z. Agim Pepaj, drejtuesi i Shkollës Shqipe në Zvicër, Dr. Vaxhid Sejdiu, si dhe gazetari i njohur dhe miku i madh i komunitetit shqiptar, z. Rexhep Rifati.
Ky aktivitet ishte një dëshmi e unitetit dhe përkushtimit të diasporës shqiptare për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar. Me një organizim të shkëlqyer dhe një pjesëmarrje masive, festa e Pavarësisë në Uster la një përshtypje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Një angazhim serioz i aktivistëve të Shoqatës Bashkimi duke u kujdesur që çdo gjë rreth organizimit të shkojë si pas planit u arrit me sukses.
Fotografi i festës ishte miku ynë Afrim Nevzadi.
Mirënjohje Anëtarësisë së Shoqatës Bashkimi për mbështetjen.
Faleminderit të pranishmëve për pjesëmarrje në Festat tona të përbashkëta.


































































































No comment