Promovimi i Librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” nga Bardhyl Mahmuti në Uster.

Uster, 17.05.2025 – Në një atmosferë të ngrohtë, me pjesëmarrje të gjerë dhe përplot emocione e reflektime, Shoqata “Bashkimi” organizoi në qytetin e Usterit një aktivitet të veçantë për promovimin e librit më të ri të autorit të njohur Bardhyl Mahmuti, me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Ngjarja mblodhi së bashku dhjetëra veprimtarë, patriotë, intelektualë dhe dashamirë të librit e të çështjes kombëtare. Të pranishmit u mirëpritën me fjalë përshëndetëse nga përfaqësues të Shoqatës “Bashkimi”, të cilët theksuan rëndësinë e këtij libri si dëshmi e rrugës së lavdishme të UÇK-së dhe si kontribut i vyer në ruajtjen e të vërtetës historike.
Në këtë promovim një rol të rëndësishëm pati edhe veprimtari i dalluar Adnan Asllani, i cili u kujdes që të pranishmit të njiheshin më në thellësi me përmbajtjen e librit dhe me rëndësinë që ka kjo vepër për ndriçimin e të vërtetës historike mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Angazhimi i tij bëri që pjesëmarrësit të lidheshin më ngushtë me mesazhin e librit dhe me autorin.
Autori Bardhyl Mahmuti ndau me të pranishmit motivet që e shtynë të shkruajë këtë vepër, duke theksuar rëndësinë e ballafaqimit me propagandën kundër UÇK-së dhe nevojën për dokumentimin e luftës çlirimtare përmes fakteve e analizës së thellë.
Bisedë e hapur me autorin
Promovimi u shndërrua në një bashkëbisedim të gjallë mes autorit dhe pjesëmarrësve. Lexuesit patën mundësinë të shtrojnë pyetje, të ndajnë reflektime personale dhe të shprehin mirënjohje për kontributin e autorit në ndriçimin e së vërtetës së popullit shqiptar.
Bisedat ishin të ngrohta dhe të këndshme, të mbushura me emocione dhe respekt për sakrificën e dëshmorëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare. Kjo ngjarje u shndërrua në një moment bashkimi, ndërgjegjësimi dhe frymëzimi për të gjithë të pranishmit.
________________________________________
Shoqata “Bashkimi” falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre dhe fton komunitetin shqiptar në Zvicër të vazhdojë të mbështesë ngjarje të tilla që ruajnë kujtesën historike dhe forcojnë identitetin tonë kombëtar.

Nuk ka komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *